Filloj punën projekti i BERZH për zhvillim të kapaciteteve në teknologjinë e informacionit në Kosovë

Autoritetet e Kosovës dhe të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë bashkuar përpjekjet për të fuqizuar sektorin e teknologjisë dhe informacionit (ICT),  i cili është sektor me rritje të lartë dhe qenësor për të ardhmen e suksesshme të zhvillimit ekonomik.

Si rezultat i parë i këtij bashkëpunimi Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe BERZH kanë filluar projektin për zhvillim të kapaciteteve në sektorin e ICT në Kosovë.

Programi do të zhvillohet gjatë muajve shtator, tetot dhe nëntor 2017. Gjatë këtij programi do të ofrohen trajnime dhe mbështetje për zhvillimet rregullatore në një sektor dinamik siç është telekomi, shërbimet e internetit dhe të rrjeteve të komunikimeve elektronike. Programi financohet plotësisht nga fondi special i aksionarëve të BERZH.

Në emër të ARKEP, Kreshnik Gashi, Kryetari i Bordit të ARKEP, theksoj se: "Ky program është planifikuar nga ARKEP në bashkëpunim me BERZH dhe është i bazuar në premisën se sektori i ICT  në Kosovë është i një rëndësie të posaçme, sidomos duke pasur parasysh moshën e re mesatare dhe numrin e madh të përdoruesve të shërbimeve të komunikimeve elektronike si dhe se rregullimi i këtij sektori duhet të jetë i tillë që të stimuloj inovacionin dhe të krijoj një ambient sa më konkurrues" 

Përfaqësuesi i BERZH, z.Hekuran Neziri, falënderoj ARKEP për zhvillim të programit dhe konfirmoj përkushtimin e Bankës për mbështetje të këtij sektori me rëndësi, që ndikon direkt në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ekspertët e BERZH vijnë nga vende të ndryshme të BE-së në zyrat e ARKEP do të bashkëpunojnë me stafin e ARKEP si edhe do të ofrojnë trajnime edhe për pjesëmarrës të tjerë të sektorit që preken nga rregullimi i komunikimeve elektronike.

Pjesëmarrës në hapjen e kësaj ngjarje përveç përfaqësuesve të ARKEP dhe BERZH ishin edhe përfaqësues të Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, Komisionit të Pavarur të Mediave, Komisionit të Konkurrencës, operatorët e komunikimeve elektronike, etj.