KOMUNIKATË

Në mbështetje të nenit 9 paragrafi 1), nenit 10 paragrafi 12), nenit 59, nenit 79 paragrafi 1) dhe 2) të Ligjit për Komunikime Elektronike Nr. 04/L-109 (tutje referuar si - Ligji ose LKE); dhe nenit 13 paragrafi 1) dhe 5) i Statutit të (Ref. Nr.Prot.054/B/17) të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (tutje referuar si; ARKEP ose Autoriteti), Bordi Drejtues i ARKEP, në mbledhjen e 28-të të mbajtur më datë 18 Maj 2018, pas analizimit të ecurisë së deritashme të procesit të implementimit të kodit 383 të caktuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU), gjendjes në tregun e komunikimeve elektronike, si dhe pas shqyrtimit të kërkesave të operatorëve për kohë shtesë për përfundimin të këtij procesi, përmes Vendimit nr.1198 (Ref. Nr.Prot. 033/B/18) obligoi operatorët që:

        I.            Më së voni deri më datë 31 Tetor 2018 duhet të përfundoj në tërësi implementimi i kodit E.164: +383 në rrjetet e telefonisë mobile dhe ndërpriten kodet tjera. Nga kjo datë, kodi 383 duhet të jetë kodi i vetëm për origjinim dhe terminim të trafikut ndërkombëtar në Republikën e Kosovës.

     II.            Obligohen operatorët, të cilët nuk e kanë përfunduar implementimin e kodit E.164: +383 në rrjetet e telefonisë fikse që brenda afatit kohorë prej 30 ditëve të përfundojnë këtë proces dhe ndërpritet kodi +381. Pas këtij afati, kodi 383 duhet të jetë kodi i vetëm për origjinim dhe terminim të trafikut ndërkombëtar në Republikën e Kosovës në rrjetet fikse, në të kundërtën do të shqiptohet sanksioni ekonomik.

   III.            Operatorët duhet të sigurojnë që implementimi i prefiksit 383, respektivisht largimi i kodeve të deritashme të mos krijoj efekte anësore ndaj sistemeve për përgjimet në komunikimet elektronike.

ARKEP gjatë procesit të implementimit të kodit, në vazhdimësi ka udhëzuar operatorët dhe ka kërkuar nga ata që:

-          Me intenzitet të shtuar të ndërmirren të gjitha masat e nevojshme teknike dhe operative, në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më shpejt,

-          Të ndërmirren të gjitha veprimet e nevojshme për sensibilizimin e opinionint publik, respektivisht informimin e drejtë dhe saktë të qytetarëve të Republikës së Kosovës lidhur me implikimet që do të ketë kalimi në kodin e ri (p.sh. ndrrimi i SIM kartelave, etj.).

ARKEP, në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive, të cilat dalin nga Ligji bazë Nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike dëshiron të informoj opinionin publik se në vazhdimësi është duke mbikëqyrur implementimin e kodit dhe mbetet i përkushtuar për rregullimin e tregut mbi bazën e parimeve themelore, të cilat garantojnë konkurrencë efektive, transparencë, mosdiskriminim dhe para së gjithash mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit.