Komunikatë për Media

cept

Nënshkrimi i Memorenadumit të Mirëkuptimit në mes të ART dhe AKEP (R. e Shqipërisë)

Prishtinë, 19 Mars 2010

Të Hënën, me 22 Mars, 2010, ora 11:00 në ambientet e Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit (ART) në prezencën e mediave publike dhe anëtarëve të Bordit të ART-së dhe stafit profesional si dhe stafit drejtues të Autoritetit për Komunikime Elektronike dhe Postare e Republikës së Shqipërisë (AKEP), në organizimin e ART-së do mbahet ceremonia zyrtare e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU) në fushën e komunikimeve elektronike në mes Autoritetit për Komunikime Elektronike dhe Postare të Republikës së Shqipërisë (AKEP) dhe Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit të Republikës së Kosovës.

Marrëveshja nga ana e ART-së do nënshkruhet nga z. Ekrem Hoxha, Kryetar i Bordit dhe z. Pirro Xhixho - Kryetar i Këshillit Drejtues.

Marrëveshja e negociuar mes dy rregullatorëve, ka si objektiv krijimin e kushteve reciproke për thellimin e marrëdhënieve miqësore mbi bazën e barazisë dhe përfitimit të ndërsjellë, gjithnjë duke ju referuar rëndësisë së komunikimeve elektronike në zhvillimin e mirëqenies shoqërore dhe ekonomike të të dyja vendeve.

ART në komunikatën për media kumton se kjo është marrëveshja e tretë e arritur nga ART me rregullatorët nga shtetet e regjionit mbi bazën e përbashkët për planet dhe programet si dhe gatishmërinë për të mbajtur kontakte të rregullta dhe për të zhvilluar bashkëpunim praktik në çështjet që kanë të bëjnë me shërbimet e komunikimeve elektronike dhe telekomunikuese.

ART shpjegon mëtutje se marrëveshja kornizë ofron bazë të qëndrueshme legale për arritjen e përfitimeve që mund të rriten për dy institucionet rregullatore nga bashkëpunimi reciprok në çështjet që kanë të bëjnë me shkëmbimin e informatave, përvojës dhe dokumenteve mbi zhvillimin e shërbimeve të komunikimit elektronik në të dyja vendet.

Kryetari i Bordit të ART-së, z. Ekrem Hoxha shpjegoi se marrëveshja mundëson nga aspekti legal që nga ana teknike ekipet e specializuara të rregullatorëve të minimizojnë dhe rregullojnë çështjet e interferencave ndërkufitare në brezet/kanalet frekuencore gjë që do i mundësojë shfrytëzim optimal të resurseve frekuencore nga ana e operatorëve nacional nga dyja palët nënshkruese të marrëveshjes.

ART në kumtesën për media potencon se akti i nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit paraqet moment publik dhe solemn të nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit mes të Autoritetit për Komunikime Elektronike dhe Postare të Republikës së Shqipërisë (AKEP) dhe Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit të Republikës së Kosovës.

ART do angazhohet fuqishëm që të fuqizoj dhe promovoj edhe mëtutje bashkëpunimin rajonal dhe koordinimin mes agjensioneve regjionale me theks të veçantë në menaxhimin e shërbimet telekomunikues e posaçërisht në menaxhimin efikas të brezeve frekuencore si resurse të kufizuara.

ART, konfirmon se do mbetet e angazhuar në jetësimin e këtyre marrëveshjeve me mision dhe objektiv krijimin e kushteve për zhvillimin e sektorit të komunikimeve elektronike gjegjësisht telekomunikacionit.