Prishtinë, 30 dhjetor 2009
Nën drejtimin e Kryetarit të Bordit, Ekrem Hoxha, Bordi i ART-së u mbajt mbledhja e katërt dhe e fundit për vitin 2009, ku u shqyrtuan dhe aprovuan nje sere vendimesh.
Ndër të tjera është autorizuar fillimi i punës dhe janë caktuar grupet punuese për tri projektet kapitale:
-Stacioni Fiks / Qendra nacionale për monitorim të spektrit
-Sistemi Menaxherial për bartshmëri të numrave dhe
-Sistemi informativ bazuar në ueb teknologji dhe me komponentë gjeografike WebGIS
Bordi i ART-së poashtu ka aprovuar planin e punës për 2010, i cili paraqet strategjinë dhe objektivat për zhvillimin e projekteve kapitale me rëndësi për tregun e telekomunikimeve.
Pasiqë analiza e tregut të telekomunikimeve paraqet bazën për definimin e pozicionit të operatorëve në treg dhe trendet e përgjithshme në sektorin e telekomunikimeve, Bordi i ART-së ka aprovuar vendimin i cili do t’i paraprijë hartimit të rregullores për analizën e tregut.
Ndër të tjera, në këtë mbledhje u shqyrtuan edhe aplikacionet dhe rekomandimet e paraqitura nga Komisioni për Licencim, Autorizim dhe Monitorim (KLAM) si dhe Struktura e re Organizative bashkë me kontratat e punonjësve të ART-së.