Komunikatë Për Media

Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART), pas shqyrtimit me kujdes të zhvillimeve në tregun e telekomunikimeve në Republikën e Kosovës dhe pas skadimit të moratoriumit tridhjetë ditor të ofruar për largimin vullnetar të infrastrukturës së mbetur të operatorëve ilegal gjithnjë bazuar në mandatin ligjor dhe përgjegjësinë institucionale që ka ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës për mundësimin e pranimit të shërbimeve kualitative nga operatorët e licencuar, krijimin e kushteve normale të operimit për operatorët e licencuar dhe autorizuar sipas Ligjit të Telekomunikacionit si dhe krijimit të kushteve për futjen e kapitalit të huaj në sektorin e telekomunikeve gjatë procesit të privatizimit të operatorit publik por edhe operatorëve alternativ në të ardhmen, pas konsultimeve intensive me institucionet vendore dhe ndërkombëtare paralajmëron qytetarët mbi vazhdimin e fazës së dytë për mënjanimin e infrastrukturës së mbetur të operatorëve ilegal.

ART edhe më parë në vazhdimësi ka rikujtuar qytetaret e Republikës së Kosovës që ekskluzivisht të shfrytëzojnë shërbime telekomunikuese të cilat ofrohen nga operatoret dhe ofruesit e shërbimeve telekomunikuese të cilët kanë autorizim/licencë adekuate nga ART, përndryshe institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të mbajnë përgjegjësi për pasojat eventuale gjatë aktiviteteve ditore për jetësim të ligjeve në fuqi.

ART në vazhdimësi ka rikujtuar dhe ftuar ndërmarrjet, grupet ose individët të cilët direkt ose indirekt janë të përfshirë në ofrimin e shërbimeve jo-të autorizuara që të ndërpresin aktivitetet e tilla, përndryshe masa rigoroze sanksionuese ndaj personave juridik dhe fizik do të jenë të pashmangshme.

Gjithashtu ART i bën me dije edhe transmetuesve radiodifuziv të cilët përdorin linqe mikrovalore dhe nuk posedojnë licencë adekuate nga ART se obligohen që në një afat sa më të shkurtër të aplikojnë pranë ART dhe të përmbushin obligimet e tyre ligjore siç edhe janë udhëzuar edhe gjatë takimeve konsultative të organizuara dhe ndërmjetësuara nga Komisioni i Pavarur i Mediave, në të kundërtën, këto operime nga ana e ART-së do të trajtohen si veprime të pa-autorizuara dhe të sanksionueshme me ligjet në fuqi.