Nenshkruhet Marreveshja e Mirekuptimit mes ART & AKK

Sot me 21 Shtator, 2011 në ambientet e Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit (ART) në praninë e Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, prezencën e mediave publike dhe stafit drejtues të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, në organizimin e ART-së u organizua ceremonia zyrtare e nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit e arritur mes dyja institucioneve të pavarura të themeluara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Marrëveshja e mirëkuptimit, e arritur mes dyja institucioneve ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të  përcaktuara për dyja institucionet e pavarura sipas legjislacionit në fuqi (Ligjit për Telekomunikacionin dhe Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës) dhe mes tjerash edhe përmbushjen e rekomandimeve dhe kërkesave të dala për institucionet rregullatore me raportin e progresit të vitit 2010.

Marrëveshja ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit në realizimin e objektivave specifike të ART-së dhe AKK-së, përmes lehtësimit të shkëmbimit të informacioneve relevante ndërmjet dy institucioneve.

Udhëheqësi i Bordit të ART-së z. Ekrem Hoxha duke vlerësuar arritjen dhe nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, theksoi se kjo marrëveshje demonstron gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë dhe në vazhdimësi me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës gjithnjë në respektim të plotë dhe në frymën e legjislacionit në fuqi për të promovuar edhe më tej tregun e hapur dhe konkurrencën e lirë dhe efektive në sektorin e komunikimeve elektronike në vendit tonë.

Kryetari i AKK-së z. Osman Ejupi duke çmuar lartë nënshkrimin e kësaj marrëveshje theksoi se marrëveshja si kjo dhe marrëveshjet e ngjashme të arritura nga AKK si me BQK-në, etj do t'i kontribuojnë rritjes së efikasitetit të Autoritetit që drejton në veçanti dhe mbrojtjes së  konkurrencës në Republikën e Kosovës në përgjithësi.

Kryetari i Komisionit parlamentar, z. Pajaziti në adresimin e tij vlerësoi lartë pjekurinë e arritur nga agjensionet e pavarura rregullatore dhe përkushtimin e tyre drejt jetësimit të objektivave që dalin nga aktet ligjore në fuqi në këtë rast për ART dhe AKK, si dhe vlerësoi lartë nënshkrimin e kësaj marrëveshje me rendësi kyçe në zhvillimin e tregut te telekomunikacionit në territorin e Republikës s Kosovës. Njëherazi ai potencoi mbështetjen e pa-rezervë dhe mbikëqyrjen e intensifikuar të ushtruar nga ana e Komisionit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Kosovës gjithnjë me qëllim të realizimit të objektivave kryesore për krijimin e një tregu plotësisht të hapur dhe efektiv.

Gjithashtu z. Pajaziti potencoi se arritja e kësaj marrëveshje shënon edhe adresimin e kërkesës dhe rekomandimit të raportit të progresit të vitit 2010, me saktësisht të seksionit 4.1.5 ku më saktësisht udhëzohen autoritetet që procedurat për bashkëpunim mes autoriteteve rregullatore (subjekteve) të përfshira në çështjet e konkurrencës, e në veçanti rregullatorëve ekonomik duhet forcuar dhe qartësuar në përputhje me legjislacionin e aplikueshëm.