Komunikatë për publikun mbi furnizimin me pajisje për matjen e Rrezatimit të Fushës Elektromagnetike

Të nderuar lexues,

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (Autoriteti) njofton se Departamenti i Radio Monitorimit dhe Inspektimit (DRMI) është pajisur me pajisje të sofistikuara për matjen e rrezatimit të fushës elektromagnetike (Pajisje për matjen e Rrezatimit të Fushës Elektromagnetike) .

Komunikimet elektronike si ato; Radio, TV, telefonia mobile, PMR, PTP, PMP, TETRA, shërbimet e transmetimit pa tela (Wireless) etj, shfrytëzojnë valët elektromagnetike si medium transmetues. Kjo fushë mund të atakoj çdo gjë rreth saj përfshirë edhe njerëzit në rast të tejkalimit të vlerave të përcaktuara me kushtet e licencës dhe/apo autorizimeve të përcaktuara nga ARKEP.

Departamenti i Radio Monitorimit dhe Inspektimit si një nga njësite funksionale dhe profesionale në kuadër të Autoriteti Rregullativ te Komunukimeve Elektronike dhe Postare, gjatë fundit të vitit të kaluar është furnizuar me pajisje për matjen e rrezatimit të fushës elektromagnetike dhe që nga ajo kohë ka përfunduar dy cikle të trajnimeve të avancuara për përdorimin e pajisjeve dhe analizimin e të dhënave të fituara nga matjet e realizuara.

Me implementimin e këtij projekti, Autoriteti ka përmbushur edhe një nga parakushtet dhe obligimet e përcaktuara me Ligjin për Komunikime Elektronike.

Pajisjet e furnizuara janë te teknologjisë së fundit dhe të prodhuesit me renome botërore në prodhimin e pajisjeve matëse të rrezatimit te fushës elektromagnetike. Pajisjet në dispozicion të Autoritetit janë;

-        Selectiv Frequency Measuring SRM 3006  brezi 9 kHz - 6 GHz

-        NBM 550 Brodband meter 100 MHz - 60 GHz

Autoriteti me vendosjen në funksion të pajisjeve dhe aftësimin e ekspertëve për realizimin e matjeve dhe interpretimin e rezultateve, ka krijuar parakushtet teknike dhe profesionale që të trajtoj ankesat e kualifikuara të konsumatoreve/qytetarëve për shqetësimet e tyre lidhur me rrezatimin që mund të shkaktohet nga stacionet transmetuese baze.

Përmes  këtyre pajisjeve mundësohet matja e parametrave teknik; dbµV, V/m, dbµV, mW/cm2, W/m2 dhe krahasimi i vlerave të fituara gjatë matjeve me vlerat referente të përcaktuar me rekomandimet relevante ndërkombëtare.

DRMI me fillim nga muaji Shkurt i këtij viti ka filluar me përdorimin e këtyre pajisjeve matëse dhe deri me tani ka realizuar disa matje dhe ka paraqitur interpretimin e rezultateve për palët subjekte të ankesave.

Autoriteti sqaron se në ushtrim të mandatit të saj ligjor dhe veprimtarisë rregulluese, do mbetet e angazhuar që me prioritet ti shërbej dhe adresoj me kompetencë profesionale dhe zyrtare kërkesat e konsumatoreve dhe palëve tjera të interesit, organizoj sesione publike të informimit të konsumatoreve, publikoj të dhënat  e përmbledhura në forme të raporteve studimore, etj, por se njëkohësisht edhe do e rezervoj të drejtën e saj ligjore që të bej dhe komunikoj kualifikueshmërinë e kërkesave e gjitha me qëllim të evitimit të kërkesave abuzive dhe jo të kualifikueshme.