KOMUNIKATË-Vizita (Takimi) Punuese mes ARKEP DHE AKEP

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP), ka kryer një vizitë pune pranë institucionit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) të Republikës së Shqipërisë. Delegacioni i ARKEP përbehej nga z. Ekrem Hoxha - Kryetar i Bordit të ARKEP si dhe nga z. Nijazi Ademaj - Anëtar i Bordit të ARKEP, z. Visar Halimi - Shef i Departamentit të Menaxhimit të Frekuencave, z. Ilir Imeri, Shef i Departamentit të Komunikimeve Elektronike dhe z. Astrit Ajvazi, Shef i Departamentit të Radio Monitorimit dhe Inspektimeve. Delegacioni i ARKEP u mirëpritën nga z. Pirro Xhixho - Kryetar i AKEP, znj. Ketrin Topçiu - Anëtare e Këshillit Drejtues, znj. Klarina Allushi - Anëtare e Këshillit Drejtues, z. Alban Karapici - Anëtar i Këshillit Drejtues, z. Rudolf Papa - Drejtor i Kabinetit si dhe nga z. Shefqet Meda - Drejtor i Administrimit të Frekuencave, Numeracionit dhe Autorizimeve dhe z. Vasil Mitezi - Drejtor i Monitorimit të Frekuencave, Cilësisë dhe Monitorimit.

Gjatë vizitës u organizua dhe një takim pune, ku ndër të tjera u diskutua rreth shkëmbimit të përvojave dhe praktikave për organizimin e garës publike për dhënien/caktimin në shfrytëzim të brezeve frekuencore 1800 MHz dhe 2100 MHz, etj., si dhe mbarëvajtjes së marrëveshjes së arritur mes dy Autoriteteve për harmonizimin e përdorimit të frekuencave në 'brezat kufitare' për shërbimet GSM si dhe angazhimin në arritjen e marrëveshjeve të reja për harmonizimin e shfrytëzimit të frekuencave për shërbime UMTS (3G) dhe LTE (4G) në zonat kufitare mes dy vendeve.

Në fund te vizitës të dyja palët shprehen interesin dhe dëshirën e përbashkët, për të rritur dhe vazhduar me bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave midis dy institucione edhe në të ardhmen e afërt.