Delegacioni i Autoritetit dhe Ministrise se Zhvillimit Ekonomik, marrin pjese ne punimet e Konferences se 10-te Nderkombetare te Autoriteteve Rregullatore qe kete vit si teme boshtore kishte; Future of Mobile: 4G and Beyond

Me ftesë të Presidentit të Autoritetit për Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimeve (ICTA) të Republikës së Turqisë, delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, z. Blerand Stavileci me bashkëpunëtor dhe delegacioni i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i udhëhequr nga z. Ekrem Hoxha, Kryetar i Bordit i shoqëruar nga z. Ilir Imeri, Shef i Departamentit të Komunikimeve Elektronike, kanë marr pjesë në punimet e Konferencës së 10-të Ndërkombëtare të Rregullatorëve të Komunikimeve Elektronike, që është mbajtur me datë; 8 dhe 9 Maj, 2015 në Stamboll të Turqisë.

Konferenca e 10 ndërkombëtaret e Autoriteteve rregullatore të komunikimeve elektronike, si organizim i rregullt vjetor mbledh bashkë Ministra të fushës, Drejtuesit e Autoriteteve Rregullatore Kombëtare të Komunikimeve Elektronike dhe përfaqësues të industrisë së Teknologjisë së Informatike dhe Komunikimeve (TIK), ku ata mund të diskutojnë për zhvillimet e fundit, shkëmbejnë informacionet dhe përvojat e tyre në këtë fushë.

Në punimet e konferencës, Ministri Stavileci ka prezantuar kornizën institucionale dhe ligjore të Republikës së Kosovës, mundësitë që ofron vendi ynë për zhvillimin e këtij sektori si dhe hapat që kanë ndërmarrë institucionet përkatëse për stimulimin e zhvillimit të qëndrueshëm të tij, gjersa zyrtarët e Autoritetit kanë marr pjesë aktive në punimet e sesioneve të ndara me tema të ndryshme rregullatore.

Në këtë kuadër të punimeve të Konferencës, z. Hoxha ka zhvilluar takime të shumta me homologët e autoriteteve kombëtare rregullatore, si dhe pjesëmarrësit e shumtë tjerë në Konferencë me të cilët janë diskutuar çështjet me interes reciprok me fokus eksploatimin e mundësive për shkëmbimin e ideve, përvojave dhe rezultateve mbi zhvillimet e fundit në fushën e komunikimeve elektronike me theks të orientuar drejt trendëve zhvillimore teknologjike të mundësuara nga konvergjenca e shpejtë teknologjike. z. Hoxha, gjithashtu ka zhvilluar takime të rëndësishme dhe të frytshme me udhëheqësit e ICANN dhe CEPT, mekanizma këto që Autoriteti dhe vendi ynë synon që në të ardhmen e afërt të anëtarësohet me të drejta të plota.