Rregullorja Nr.33 për Bartshmerinë e numrave për parapaguesit e sh. publike të KE-së

Në mbështetje të nenit 1, nenit 3 paragrafi 1), nenit 9 paragrafi 3) pika 2 dhe 3, nenit 10 paragrafi 4), nenit 60, nenit 64, nenit 79 paragrafi 1 dhe 2 dhe nenit 85 paragrafi 7 pika 3.2 , i Ligjit Nr. 04/L-109 për Komunikimet Elektronike dhe nenit 20 të Rregullores së Brendshme (Ref. Nr.Prot.161/06) të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (tutje referuar si - Autoriteti), Bordi i Autoritetit në mbledhjen e 18-të me radhë të mbajtur më datë 9 Qershor 2017 me Vendimin nr.1027 ka miratuar "Rregullorja për Bartshmërinë e Numrave për Parapaguesit e Shërbimeve Publike të Komunikimeve Elektronike".

Kjo Rregullore përcakton termat dhe kushtet, të cilat duhet të plotësohen nga operatorët e rrjeteve dhe/ose shërbimeve publike të komunikimeve elektronike për të ofruar mundësinë e bartshmërisë së numrit. Kjo rregullore gjithashtu përcakton masat për të realizuar lehtë dhe shpejtë procesin e kalimit më të mirë të parapaguesit ndërrues.

Qëllimi i kësaj rregulloreje është garantimi i zbatimit të bartshmërisë së numrave nga të gjithë operatorët, të cilët ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike mobile dhe/ose fikse si dhe krijimin e kushteve më të mira për rritjen dhe mbrojtjen e konkurrencës.