Elementet kryesor të Kontratës në mes të përdoruesve fundor (konsumatorëve) dhe ofruesve të shërbimeve dhe/ose rrjeteve të komunikimeve elektronike
Përdoruesit fundor (Konsumatorët) duhet të kenë mundësinë që të lidhin kontratë me ndërmarrësit që ofrojnë shërbime dhe/ose rrjete të komunikimeve elektronike ose qasje në rrjetet publike të komunikimeve elektronike.
Në kapitullin XIV, neni 85 paragrafi 7 i Ligjit Nr.04/L-109 për Komunikime Elektronike përcakton se Kontrata së paku duhet të përmbajë:
1) emrin dhe adresën e ndërmarrësit;
2) shërbimet e ofruara, duke përfshirë:
a) a ofrohet apo jo qasje në shërbimet emergjente dhe informacionin për lokacionin e thirrësit, dhe çfarëdo kufizimi në ofrimin e shërbimeve të emergjencës ;
b) informacionin për kushtet tjera që kufizojnë qasjen dhe/ose përdorimin e aplikacioneve dhe shërbimeve, aty ku këto kushtëzime janë të lejuara në bazë të legjislacionit në fuqi;
c) niveli më i ulët i kualitetit të shërbimit të ofruar, d.m.th. koha për inicimin e thirrjes dhe, ku është e përshtatshme, parametrat tjerë të kualitetit të shërbimeve të definuara nga Autoriteti;
d) informacionin për procedurat e ndërmarra nga ndërmarrësi për matje dhe modifikim të trafikut për të shmangur mbingarkimin e rrjetit dhe informacionin se si këto procedura ndikojnë në kualitetin e shërbimit;
e) informatat për llojet e mirëmbajtjeve dhe përkujdesjes së ofruar ndaj konsumatorëve, si dhe mënyrat për shfrytëzim të këtyre shërbimeve;
f) çfarëdo kufizimi për shfrytëzim të pajisjeve fundore të ofruara nga ndërmarrësi;
3) detajet për çmimet dhe tarifat, mënyrën se si informatat e përditësuara për të gjitha tarifat dhe shpenzimet e mirëmbajtjes mund të merren, mënyrat e ofruara të pagesës, si dhe çdo diferencë në çmime varësisht nga mënyra e pagesës;
4) kohëzgjatja e kontratës dhe kushtet për përtëritje të kontratës, përfundimin e kontratës si dhe përfundimin e shërbimeve, duke përfshirë:
a) përcaktimin e kohëzgjatjes minimale për të përfituar nga ofertat promovuese;
b) çfarëdo pagese për Bartshmërinë e numrave dhe identifikuesve tjerë
c) çfarëdo pagese lidhur me shkëputjen e kontratës, përfshirë këtu pagesat që kanë të bëjnë me pajisjet fundore;
d) kompensimin dhe rimbursimin në rastet kur shërbimi i ofruar nuk është në nivel të cilësisë së kontraktuar;
e) mënyrën e inicimit të procedurës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve
f) llojin e veprimit të cilin mund ta marrë ndërmarrësi për të reaguar ndaj sigurisë ose cenimit të integritetit dhe kërcënimeve .
5) kontrata mund të përmbajë gjithashtu çfarëdo informacioni për kufizime që rrjetat dhe/ose shërbimet e komunikimeve elektronike të mos përdoren për aktivitete të jashtë ligjshme apo për shpërndarje të përmbajtjeve të dëmshme, si dhe për mënyrat për tu mbrojtur nga rreziqet për sigurinë personale, privatësinë dhe të dhënat personale.
6) parapaguesit kanë të drejtë që të shkëpusin kontratën e tyre pa u ndëshkuar pas paralajmërimit për modifikim të kushteve të kontratës të propozuara nga ndërmarrësit që ofrojnë shërbime dhe/ose rrjete të komunikimeve elektronike. Parapaguesit duhet të informohen për të gjitha ndryshimet e propozuara në kushtet e kontratës jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para futjes se këtyre ndryshimeve. Në rast të mospajtimit me ndryshimet e kushteve, parapaguesi ka të drejtë që, pa asnjë pasojë, të shkëput kontratën. Autoriteti duhet të specifikojë qartë formën për paralajmërimin e ndryshimit të kushteve të kontratës.